Kryetari i Shoqatës “Istanbul” z. Ridvan Seferaj, takim me drejtues të lartë të Fondacionit Maarif për Shqipërinë

Kryetari i Shoqatës Vëllazërore Humanitare Kulturore “Istanbul”, z. Ridvan Seferaj, zhvilloi një takim me drejtues të lartë të Fondacionit Maarif për Shqipërinë.

Z. Seferaj u prit me kënaqësi nga Mesut Özbaysar, Koordinatori i Fondacionit Maarif për Shqipërinë. Fondacioni Maarif është një institucion me ndikim global, që ushtron veprimtari në fushën e arsimit në shumë vende të botës, përfshirë edhe Shqipërinë.

Në kuadër të vizitës në institucionet arsimore të Fondacionit Maarif, kryetari i Shoqatës “Istanbul”, z. Seferaj, takoi edhe Prof. Dr. Ali Güneş, Rektor i Universitetit të Nju Jorkut në Tiranë, një prej universiteteve elitë në Shqipëri.

Takimet kishin për qëllim forcimin e marrëdhënieve ndërinstitucionale, rritjen e bashkëpunimit në fushën e arsimit, si dhe shkëmbimin e përvojave mes institucioneve arsimore. U diskutuan mundësitë për bashkëpunim në fusha të ndryshme arsimore.

Fondacioni Maarif është një organizatë ndërkombëtare që vepron në dhjetëra vende të botës, me misionin e zhvillimit të arsimit cilësor dhe gjithëpërfshirës.

Nga ana tjetër, Shoqata “Istanbul” kontribuon prej vitesh me sukses dhe cilësi në arsimin parauniversitar dhe parashkollor në Shqipëri, duke administruar Medresenë “Haxhi Sheh Shamia” në Shkodër dhe kopshtin “Aromë Trëndafili”.

Takimet u zhvilluan në një atmosferë miqësore dhe bashkëpunuese, duke hapur rrugën për projekte të përbashkëta në të ardhmen, në dobi të arsimit dhe brezave të rinj në Shqipëri.

Shpërndaje