Në një prej thënieve më domethënëse, për të na shkundur nga shpresa se në të ardhmen do të jetë më mirë, thuhet se çdo ditë që vjen është me e keqe se ajo që kalon. Kjo nuk do të thotë që përderisa pritet të ndodhë kështu, të mos përpiqemi për të jetuar mirë, për të jetuar paqshëm. Edhe pse mund të duket paradoksale për shumë syresh që ëndërrojnë dhe jetojnë me shpresën se e ardhmja do të jetë gjithmonë më e mirë se e shkuara, kjo thënie vjen pikërisht për të na shkundur nga ëndërrimet e bukura për të ardhmen, edhe pse është bukur të ëndërrosh ndonjëherë.
Ëndërrimet e pavend, duhen flakur tej dhe duhet të pranojmë atë që de facto po na qarkëson për çdo ditë e më tepër. Duhet të jetojmë me realitetin që na rrethon, jo me atë që presim të ndodhë, sipas ëndërrimeve tona, shpesh edhe dehëse. Kjo, për të qenë të përgatitur, për sfidat që me siguri do të vijnë në kohën dhe hapësirën e duhur, që të mos zihemi gafil prej tyre, ndërkohë që ëndërrojmë për të ardhmen e begatë dhe të paqtë.
Shumë syresh shpresojnë dhe janë ndoshta të bindur katërçipërisht se e ardhmja do të jetë realisht më e mirë , më e begatë. Kur ëndërrojnë dhe shpresojnë për këtë lloj të ardhme, me siguri që referencë kanë gjendjen aktuale në të cilën jetojnë. Kësisoj, në të ardhmen presin të realizojnë atë që momentalisht nuk e kanë, atë që momentalisht nuk e posedojnë, atë që momentalisht nuk është pjesë e jetesës së tyre.
Përgjithësisht, me të ardhme më të mirë e më të begatë shumica nënkupton përmirësimin e gjendjes materiale. Me të ardhme me të mirë e më të paqtë nënkupton rritjen e standardeve ekonomikë të të jetuarit, më shumë të ardhura, më shumë mundësi për konsum të të mirave materiale. Për këtë qëllim mendohet ditë edhe natë, shtrydhen energji fizike e mendore, krijohen lidhje e miqësi të reja, prishen lidhje e miqësi të vjetra. Të ardhurat financiare dhe shtimi i aseteve ekonomike në listën e pasurisë janë syri i ciklonit të një shumice të konsiderueshme.
Për këtë janë të gatshëm të sakrifikojnë lidhjet familjare, farefisnore e vëllazërore, vetëm e vetëm që përfitimiet të kalojnë në anën e tyre, pa u vramendur për koston e kësilloj sjellje e qëndrimi. Në fund të ditës llogaria për kësilloj krijesash i përgjigjet vetëm një pyetje, sa fituam sot? Etja për shtimin e të ardhurave dhe aseteve ekonomike si garanci për të ardhmen e mirë dhe të begatë i kanë verbuar kaq shumë, saqë nuk shohin më asgjë njerëzore përreth tyre. Çdokush tjetër shikohet si burim i mundshëm pasurimi, si burim i mundshëm parash.
Ashtu siç i perceptojnë të tjerët, ashtu edhe sillen e i trajtojnë. Shpesh, revoltohemi së brendshmi kur dëgjojmë e shohim trajtimin e qenieve njerëzore si mall tregu, pa asnjë fije mëshire për vuajtjet dhe skamjen e tyre. Nuk ka asgjë për tu çuditur. Ç’mund të prodhojë tjetër dëshira e zjarrtë për një të ardhme të mirë e të begatë, që ndërtohet mbi përfytyrimin e shtimit të të ardhurave?
Këta syresh kujdesen vetëm të shtojnë zerot në llogarinë e tyre bankare, duke ëndërruar për të ardhmen e lumtur që i pret, për shtëpitë luksoze që do të blejnë, për makinat që do të ndërrojnë sipas viteve të prodhimit, për vendet që do të vizitojnë, për emrat me famë mediatike që do të takojnë apo do t’i ftojnë të jenë pjesë e festimeve të tyre, për femrat që do të hyjnë dha dalin nga jeta e meshkujve, për meshkujt që do të hyjnë dha dalin nga jeta e femrave. I çuditshëm dhe i habitshëm është njeriu!
Shpreson të arrijë këto të mira materiale nga ajo që është e panjohur dhe surprizuese. Të shpresuarit për jetë të gjatë dhe arritjen e së ardhmes së lumtur e të begatë, i detyron të harrojnë vizitorin që i prish kënaqësitë e këtij lloji pakthyeshmërisht. Dhe për më tepër, koha e vizitës së këtij vizitori është e panjohur, ashtu siç është edhe vetë e ardhmja. I çuditshëm është njeriu që shpreson të jetojë gjatë dhe të gëzojë të mirat materiale, kur koha e vizitorit mund të jetë tepër e afërt.
Kur themi që çdo ditë që vjen është më e keqe se ajo që kalon, nuk do të thotë që domosdoshmërisht kjo e keqe të jetë vetëm skamje, varfëri, luftëra, sëmundje të pashërueshme, epidemi vdekjeprurëse ose jo. Natyrisht që këto që përmendëm apo dhe të tjera që nuk janë përmendur, nuk janë të përjashtuara si elementë të përkeqësimit të së ardhmes. Por këto janë shfaqje, manifestime të një të keqeje akoma dhe më të madhe; gërryerja përkeqësuese e vlerave që e bëjnë njeriun njeri.
Duke u thelluar në vazhdimësi hendeku mes njeriut dhe të qënit njeri, çdo ditë që vjen është më e keqe se ajo që kalon edhe pse njeriu mund të jetojë në mes të të mirave materiale. Para se ta shohim të keqen të manifestuar në mjedisin e jashtëm, duhet të shohim të keqen që endet brenda nesh. Sa më e madhe kjo e keqe, aq më e keqe do të jetë jeta e njeriut edhe pse shpreson që e ardhmja do të jetë më e mirë.
Si mund të shpresosh që e ardhmja do të jetë më e paqtë dhe më e begatë, kur brendësia është përmbysur kokëpingulthi dhe retë e errëta të së keqes kanë mbuluar zemrën e njeriut? Përderisa zemra e njeriut nuk çlirohet nga e keqja, por vetëm e shton prezencën e saj në brendësi të vetvetes, e ardhmja nuk ka për të qënë as e mirë, as e begatë dhe as e paqtë. Ky është ligji që nuk mund të ndryshojë nga ëndërrimet dehëse të atyre që të ardhmen e shohin të paqtë. Duhet me qënë syçelë, zemërçlirët nga veset dhe mbushur me dashuri të thellë për të Vërtetën që e ardhmja të jetë vërtetë e begatë dhe e paqtë.