Shoqata “Istanbul” shtron iftarin e madh tradicional për muajin e shenjtë të Ramazanit

Në ambientet e konviktit të djemve të Medresesë “Haxhi Sheh Shamia” në Shkodër u organizua iftari i madh tradicional për muajin e shenjtë të Ramazanit. Ky event tashmë është kthyer jo vetëm në një traditë të çmuar, por edhe në një moment bashkimi dhe solidariteti.

Në këtë mbrëmje të veçantë morën pjesë Kryetari i Bashkisë Shkodër, z. Benet Beci, përfaqësues të pushtetit vendor dhe qendror, përfaqësues të trupit diplomatik në Republikën e Shqipërisë, drejtues institucionesh, deputetë të Parlamentit të Shqipërisë, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, medias, sportit, artit dhe profesionistë nga fusha të ndryshme.

Të pranishëm në iftar ishin edhe përfaqësues të fondacionit Aziz Mahmûd Hüdayi në Stamboll, që prej vitesh kanë kontribuar dhe mbështetur projekte të shumta për Shqipërinë si dhe mysafirë të tjerë nga Turqia.

Fjalën e mirëseardhjes e mbajti kryetari i Shoqatës “Istanbul”, z. Ridvan Seferaj, i cili u shpreh:

“Ramazani është një ftesë për të ripërtërirë vlerat e mirësisë dhe ndihmës ndaj njëri-tjetrit, për të forcuar lidhjet mes nesh dhe për të na kujtuar se forca jonë si shoqëri qëndron në unitetin dhe bashkëpunimin. Në këto kohë sfidash për familjen dhe shoqërinë, kemi nevojë më shumë se kurrë për të rritur frymën e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit. Shoqata ‘Istanbul’ mbetet e përkushtuar për të kontribuar në forcimin e këtyre lidhjeve, duke shërbyer si një urë mes qytetarëve dhe institucioneve dhe duke promovuar vlera si harmonia, solidariteti dhe përgjegjësia sociale.

Jemi të lumtur që në këtë tryezë janë të pranishëm njerëz nga fusha të ndryshme të jetës, të cilët me punën dhe përkushtimin e tyre kontribuojnë çdo ditë për një shoqëri më të drejtë dhe më të mirë. Pavarësisht prejardhjes apo bindjeve, ne ndajmë vlera të përbashkëta dhe jemi të bashkuar në frymën e humanizmit dhe respektit të ndërsjellë.

Me këtë rast, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time ndaj të gjithëve ju që keni pranuar ftesën për të qenë pjesë e kësaj mbrëmjeje të veçantë, si dhe ndaj të gjithë atyre që kanë kontribuar në organizimin e këtij iftari.”

Në vijim, të pranishmit u përshëndetën edhe nga Kryetari i Bashkisë Shkodër, z. Benet Beci, përfaqësuesi i Myftinisë Shkodër, teologu Arben Halluni, dhe deputeti i Parlamentit të Shqipërisë, z. Luçiano Boçi.

Shpërndaje