Shoqata “Istanbul” e ka kthyer në një traditë të çmuar organizimin e iftareve gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, duke shpresuar në shpërblimin e madh që sjell kjo vepër, ashtu siç ka thënë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të): “Kush i jep iftar një agjëruesi, do të ketë një shpërblim të ngjashëm me të tijin, pa iu pakësuar aspak shpërblimi agjëruesit.”
Përveç ushqyerjes së agjëruesve, me shtrimin e iftareve synohet edhe nxitja e veprave të tjera të mira, si shtimin e dashurisë dhe afrimitetit mes besimtarëve, duke forcuar ndjenjën e vëllazërisë dhe shpirtin e solidaritetit.

Shtrimi i iftareve mbështetet kryesisht nga Fondacioni Aziz Mahmud Hüdayi, me qendër në Stamboll, si dhe nga kontributet e bamirësve vendas dhe donatorëve të tjerë.
Iftaret organizohen për nxënësit e medresesë, besimtarët dhe xhematet. Përveç Shkodrës, këtë vit shtrirja e iftareve është zgjeruar, duke përfshirë edhe qytetet Mamurras, Pukë dhe Berat.
Lusim Allahun e Madhëruar që t’i shpërblejë të gjithë kontribuesit me shpërblimet e Tij të pafundme dhe t’ua pranojë agjërimin të gjithë agjëruesve!