Shoqata “Istanbul” ka vijuar edhe këtë vit me procesin e therjes dhe shpërndarjes së kurbaneve, duke u qëndruar pranë familjeve dhe kategorive më në nevojë gjatë ditëve të Kurban Bajramit.
Ky projekt është bërë i mundur falë mbështetjes së vazhdueshme të fondacionit “Aziz Mahmud Hudayi” me qendër në Turqi. Një kontribut i veçantë ka ardhur gjithashtu nga bamirësit vendas, të cilët kanë ndihmuar me rreth 50 bagëti të imta, duke treguar një solidaritet të çmuar me shtresat më në nevojë të shoqërisë.
Mishi i kurbaneve është shpërndarë kryesisht në Azilin e Shkodrës, për banorët në nevojë të zonës së Kalasë së Drishtit, si dhe për disa familje me vështirësi ekonomike në qytetin e Shkodrës.
Ashtu si çdo vit, Shoqata “Istanbul” shpreh mirënjohjen dhe falënderimet për të gjithë ata që na kanë besuar amanetin e kurbanit, duke kontribuar në këtë vepër të mirë.
Qëllimi ynë mbetet i pandryshuar: të shkojmë atje ku nevoja është më e madhe dhe të sjellim sadopak lehtësim për ata që kanë më shumë nevojë. Shpërndarja e mishit të kurbaneve vazhdoi gjatë ditëve të festës, duke u angazhuar me përkushtim në ndihmë të nevojtarëve.