Vraponi pas mëshirës së Allahut

Idris Arpat

Në suren Ali Imran, Allahu urdhëron: “Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe Xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit, të cilët japin lëmoshë edhe kur janë në mirëqenie, edhe kur janë në vështirësi, e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit. Për ata që, kur bëjnë vepra të turpshme ose i bëjnë dëm vetes e kujtojnë Allahun, i kërkojnë falje për gjynahet e tyre,e kush i fal gjynahet përveç Allahut? – dhe nuk ngulmojnë me vetëdije në gabimet që kanë bërë (Ali Imran, 133-135.)

Në këtë ajet Allahu thekson cilësitë e besimtarëve të devotshëm, të cilët në qendër të jetës së tyre kanë vendosur Allahun dhe dashurinë për Të. Këta besimtarë, për hir të dashurisë ndaj Allahut japin lëmoshë, si në gjendje të vështirë, ashtu edhe në gjendje të keqe. Në një ajet para këtij, Allahu urdhëron mbajtjen e pasurisë larg ndotjes së kamatës, përndryshe i pret një dënim i rëndë dhe i ashpër.

Kurse ajeti në fjalë nxit besimtarët për strehim tek mëshira e Allahut dhe vrapim drejt Xhenetit, gjerësia e të cilit është sa qiejt e toka. Ky nuk është një vrapim me hapa, por një vrapim me vepra dhe punë të mira.

Ajeti thekson faktin e përgatitjes së Xhenetit si vend pritjeje për të devotshmit. Sepse vepra të tilla si dhënia e lëmoshës në kamje dhe skamje, mposhtja e zemërimit dhe mërisë dhe falja e padrejtësive që bëjnë njerëzit ndaj janë vepra që mund të realizohen vetëm nga njerëz të devotshëm.

Cilësitë kryesore të besimtarëve të devotshëm në ajetin e mësipërm janë: lëmosha në kamje dhe skamje, në gjendje të mirë dhe gjendje të keqe, mosshkëputja për asnjë moment nga dhënia e lëmoshës për nevojtarët. Të devotshmit nuk heqin dorë nga përgjegjësia e bamirësisë dhe ndihmës ndaj të varfërve dhe të dobëtve. Ata nuk presin të bëhen të pasur për të dhënë lëmoshë dhe ndihmuar të varfrit, sepse dhënia e lëmoshës për ta është bërë pjesë e qenësishme e karakterit të tyre.

Një cilësi tjetër karakteristike e tyre është edhe mposhtja e zemërimit dhe urrejtjes. Përmes energjisë dhe forcës shpirtërore që buron prej devotshmërisë arrijnë të mposhtin urrejtjen dhe zemërimin ndaj të tjerëve. Pejgamberi (a.s.), në lidhje me këtë thotë: “Trim i vërtetë nuk është ai që mund kundërshtarin në dyluftim, por ai që mund zemërimin dhe urrejtjen.” (Buhari,Edeb,76.) Kurse në një hadith tjetër thotë: “Atë që ruan gjakftohtësinë dhe i shmanget hakmarrjes, duke qenë i plotfuqishëm për hakmarrje, në Ditën e Gjykimit Allahu do ta nxjerrë në krye të njerëzve dhe do ta lërë të lirë të zgjedhë nga huritë e Xhenetit.” (Ebu Davud, Edeb, 3)

Vetëm të devotshmit arrijnë të falin ata që u kanë bërë padrejtësi. Në këtë proces, ata kapen fort mbas durimit. Kur zemërimi merret nën kontroll, njeriu përfshihet nga një zjarr dhe duman i brendshëm dhe vetëm nëse hidhet një hap më para duke e falur armikun, atëherë prehet zemra dhe qetësohet ndërgjegjja. Vetëm në këtë mënyrë hapen para tij horizontet e kthjellëta dhe të gjera. Me këtë veprim ai bëhet shkak që edhe armiku të reflektojë dhe gjejë rrugën e vërtetë.

Të gjitha këto sjellje sublime burojnë nga dëshira e zjarrtë për të fituar dashurinë e Allahut. Këto sjellje në asnjë mënyrë nuk janë për ndonjë përfitim material të kësaj bote.

Dhënia e lëmoshës në çfarëdolloj gjendjeje, mundja e zemërimit, falja e tjetrit dhe moskëmbëngulja në gabim, të gjitha këto janë sjellje që mund t’i realizojnë vetëm njerëzit me shpirt të madh. Këto janë vepra të jashtëzakonshme për të fituar dashurinë dhe mëshirën e Allahut. Në lidhje me shpërblimin e tyre, Allahu në një ajet më poshtë thotë: “Pra, për këta do të ketë si shpërblim falje madhështore (të gjynaheve) nga ana e Zotit të tyre dhe kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj dhe ku do të qëndrojnë përherë. Sa shpërblim i bukur është ky për ata që punojnë (vepra të bukura)!” (Ali Imran, 136.)

Ndjeshmëria ndaj namazit

Allah në suren Ibrahim, i urdhëron besimtarët të falin namazin “Thuaju robërve të Mi, të cilët besojnë: ‘Le të falin namazin siç duhet.” (Ibrahim, 31.) Në suren Muminun shpall si shpëtimtarë ata që e falin namazin me kujdes dhe përqendrim “Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur në namazin e tyre.” (Muminun, 1-2.) Kurse në suren Ankebut na informon që namazi e pengon besimtarin nga rënia në vepra të këqia. “Vërtet që namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar” (Ankebut, 45.)

Kur u pyet Pejgamberi (a.s.), për veprën më të pëlqyer tek Allahu, tha: “Falja e namazit në kohën e vet.” (Buhari, Mevakit,5.) Sahabiu Xherir ibn Abullah tregon se i ka dhënë besën Pejgamberit (a.s.), për faljen e namazit, dhënien e zeqatit, mbajtjen e drejtësisë dhe këshillimin me çdo mysliman. (Buhari, Iman, 42.)

Nga ajetet dhe hadithet e lartpërmendura theksohet fakti se namazi e lartëson dhe e pengon njeriun nga rënia në veprime të këqija, kurse namazi që nuk e pengon njeriun nga veprat e këqija nuk është gjë tjetër veçse një barrë e rëndë dhe një përgjegjësi e madhe.

Prandaj, pyetjet që duhet të bëjë sot çdo mysliman janë: “A jemi të vetëdijshëm për namazin që falim? A e ndjejmë sa duhet madhështinë e namazit? Sa të vetëdijshëm jemi për ajetin e sures Fatiha, që e lexojmë në çdo namaz: ‘Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.”

Rreziku më i madh për namazin është shndërrimi i tij në rutinë të përditshme. Atëherë namazi, nga burim energjie shpirtërore dhe fizike, shndërrohet në barrë e cila rëndon vazhdimisht mbi personin. Prandaj duhet treguar kujdes që namazi të mos e humbasë gjallërinë dhe dinamizmin që e karakterizon.

Shpërndaje