Agimi është koha e pastrimit të besimtarit

Dr. Kerim Buladi

Në Kuranin Fisnik, në sure të ndryshme, flitet për cilësitë e besimtarëve, për besimin e fortë të tyre, për dhënien pas ibadetit, për përpjekjet që shfaqin në dhënien për hir të Allahut Teala, për konceptimin e nderit, për ruajtjen e amanetit, për respektin që kanë kundrejt Allahut të Madhëruar dhe për largimin e tyre prej gjërave që nuk u interesojnë.[1] Në këtë shkrim, do të flasim vetëm për disa cilësi të besimtarëve.

  1. Natën e kalojnë duke i bërë sexhde Allahut Teala. Besimtarët bëjmë shumë ibadet edhe natën, ashtu siç nuk i nënvlerësojnë ibadet e ditës, ndërkohë që punojnë për të fituar dhe për të plotësuar nevojat e shtëpisë. Kurani Fisnik thotë kështu për ata:

 

“Robërit (e veçantë) të Rrahmanit janë ata që ecin me modesti në tokë. Kur u hedhin ndonjë fjalë injorantët, ata thonë paqe (pa i lënduar ata)! Ndërsa natën e kalojnë duke bërë sexhde dhe kijam (pjesë e namazit që fillon me tekbirin fillestar dhe mbaron në ruku).” Kur besimtarët hyjnë në mbrëmje në shtëpitë e tyre, nuk e kalojnë kohën pa u marrë me diçka. Ata e përmendin gjithmonë Allahun e Madhëruar kur janë duke pushuar, kur janë ulur dhe kur ngrihen. Besimtarët nuk janë neglizhentë në këtë çështje. Ata i drejtohen Allahut Teala, qëndrojnë në audiencën e ti dhe falin namaz në mënyrë të sinqertë.

 

Besimtarët veprojnë të vetëdijshëm për ekuilibrin e ndjeshëm që shprehet në ajetin Kuranor, ku Allahu i Madhëruar thotë:

 

“A mund të jetë (i njëjtë me mohuesin) ai që e kalon natën duke bërë sexhde e duke qëndruar në kijam, që frikësohet për ahiretin e tij dhe kërkon mëshirën e Zotit?..”[2]

 

Besimtarët veprojnë duke e kuptuar delikatesën dhe rëndësinë e detyrës që u është dhënë. Qëndrimi në sexhde dhe qëndrimi në kijam, është cilësia themelore e tyre. Besimtarët bëjnë sexhde në orët e vona të natës dhe lexojnë ajetet e Allahut Teala.[3] Besimtarët bëjnë sexhde duke qarë kur përmenden ajetet e Allahut Teala, që është shumë i mëshirshëm dhe ndjekin rrugën që të shpie te e vërteta dhe rrugën e pejgamberëve të zgjedhur, si Hz. Ademi, Hz. Nuhu, Hz. Ibrahimi, Hz. Jakubi, Hz. Ismaili[4] dhe Hz. Muhamedi, sallallahu alejhi ve sellem.

 

  1. Flenë pak natën. Kurani Fisnik i shpreh kështu cilësitë e bukura të besimtarëve, që e kanë merituar xhenetin në këtë botë:

“Pa dyshim, ata që i frikësohen Allahut do të jenë në kopshte dhe burime duke marrë atë që ua ka dhuruar Zoti i tyre, meqë më parë kanë qenë punëmbarë. Ata flinin pak natën, ndërsa në agim kërkonin falje (nga Allahu).[5]

 

Besimtarët bëjnë punë të mira në këtë botë. Nuk u hyn gjumë në sy, për shkak të dashurisë ndaj Allahut dhe ngaqë frikësohen për ahiretin e tyre. Në këtë mënyrë, bëjnë ibadet dhe kryejnë obligimet e tyre. Ata nuk flenë në kohën e agimit dhe i kërkojnë falje Allahut Teala për gabimet e tyre. Agimin që është koha më e përshtatshme për lutje dhe istigfar, e kalojnë me ibadet. Istigfarin që meriton të pranohet nga Zoti, e bëjnë këta njerëz të mirë.[6]

 

Besimtarët bëjnë ato gjëra për të cilat janë urdhëruar dhe i lënë ato të cilat i kanë të ndaluara. Të flesh pak, të bësh shumë ibadet, të kërkosh falje natën, ta zbukurosh atë me lutje dhe përgjërime, janë cilësitë më të dallueshme te besimtarët. Për shkak të këtij sinqeriteti dhe besnikërie ndaj Allahut Teala, arrijnë kënaqësinë e Zotit (xh.xh.), dhe fitojnë xhenetin me mirësinë e Tij.

 

  1. Trupat e tyre qëndrojnë larg shtretërve. Besimtarët qëndrojnë gjatë pa fjetur natën. Ata digjen me dashurinë për të fituar shtretërit e jastëkët e përhershëm[7] dhe qëndrojnë larg shtretërve e jastëkëve të përkohshëm. Kurani Fisnik i thekson kështu cilësitë themelore të besimtarëve:

 

“Shpalljet Tona i besojnë vetëm ata të cilët, kur u përmenden, bien në sexhde, dhe të cilët e adhurojnë Zotin e tyre, e lavdërojnë dhe nuk bëhen mendjemëdhenj. Ata ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre me frikë e shpresë dhe japin nga ajo që iu kemi dhënë Ne. Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ta (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë. Vallë! A është besimtari njësoj si keqbërësi? Jo, ata nuk janë të barabartë. Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, do të kenë Xhenetin strehim, si shpërblim për punët (e mira) që kanë bërë.”[8]

 

Besimtarët janë gjithmonë ndërmjet frikës dhe shpresës. Ata gjithmonë shpresojnë në mëshirën e Allahut të Madhëruar.[9] Nga ana tjetër, frikësohen nga zemërimi dhe ndëshkimi i Allahut Teala. Ata shpresojnë xhenetin, por frikësohen shumë edhe nga xhehenemi.

 

  1. Namazet i falin vazhdimisht. Besimtarët i falin gjithmonë namazet e tyre. Ata nuk i lënë pesë vaktet, namazin e xhumasë dhe namazet e bajrameve. Përveç namazeve farz, ata nuk nënvlerësojnë edhe namazet nafile. Besimtarët i falin namazet vazhdimisht, ashtu siç shprehet edhe në ajetin Kuranor:

 

“Ata janë të vazhdueshëm në faljet e tyre.” “Ata që i falin namazet rregullisht.”[10]

 

Ata janë të kujdesshëm ndaj namazeve, ashtu siç ruajnë jetën e tyre, sepse ua dinë vlerën. Ata kurrë nuk qëndrojnë larg rukusë dhe sexhdes. Në çfarëdo kushtesh që të jenë, nuk e lënë namazin për asnjë lloj pune, pozite, grade, pasurie dhe fame. E pranojnë namazin si një argument real të besimit të tyre. Ata e duan namazin, i cili është një praktikë dhe një argument i jashtëm i fjalës së Teuhidit. Ata ndjejnë dashuri për namazin si për dritën e syve të tyre.

 

Besimtarët i vazhdojnë ibadetet, namazet dhe lutjet derisa t’u vijë jakini (vdekja). Ata veprojnë brenda kornizës së urdhrave hyjnorë për të cilët bëhet fjalë në këto ajete kuranore:

 

“Tani, lartësoje Zotin tënd duke e lavdëruar dhe bëhu prej atyre që i përulen Atij duke u falur! Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja!”[11]

 

Ata përpiqen të lartësohen pa u vënë rëndësi nënvlerësimeve, talljeve dhe nënçmimeve të askujt. Ata ndjejnë kënaqësi me vetëdijen ndaj ibadetit, i cili u është gdhendur në shpirtrat  e tyre dhe përjetojnë qetësi shpirtërore duke falur namaz. Ata e dinë se në jetën e ibadetit nuk ka qetësin, pushim, raport apo ndërprerje dhe në këtë mënyrë përpiqen ta plotësojnë jetën e tyre të përkohshme. Për këtë arsye, në çdo punë të besimtarit ka mirësi.

 

[1] Shik. El-Bakara, 2/1-5, el-Mu’minun, 23/1-9, etj.

[2] ez-Zumer, 39/9.

[3] Shik. Al Imran, 3/111.

[4] Shik. Merjem, 19/58.

[5] Edh-Dharijat, 51/15-18.

[6] Elmallëllë,  Muhammed Hamdi Yazir, Hak Dini Kur’an Dili. Ata që e kanë thjeshtëzuar: Ismail Karaçam shokët e tij, Gjermani, pa datë, VII, 255.

[7] err-Rrahman, 55/54; el-Vakia, 56/34; el-Gashije, 88/15.

[8] es-Sexhde, 32/15-19.

[9] Shik. ez-Zumer, 39/53.

[10] el-Mearixh, 70/23,34.

[11] el-Hixhr, 15/98-99.

Shpërndaje