Islami është Feja e Dashurisë, Paqes dhe Qetësisë

Nga Dr. Halis Demirxhan

Në periudhën e injorancës padrejtësia kishte arritur kulmin. Gjithashtu vihet re se këto sulme dhe dhunime u janë bërë edhe ithtarëve të parë të fesë islame. Edhe pse ishin ballë për ballë me këto padrejtësi, Allahu Teala i urdhëroi besimtarët:

“O ju që keni besuar! Bëhuni të durueshëm dhe nxiteni njëri-tjetrin të jeni të tillë; bëhuni të vendosur dhe vigjilentë (në vepra të mira dhe në ruajtjen e kufijve) dhe kijeni frikë Allahun, në mënyrë që të shpëtoni!” (Al Imran, 200) Gjithashtu na bën edhe këtë paralajmërim:

“Nuk barazohet e mira me të keqen! Të keqen ktheje me të mirë e atëherë armiku yt do të të bëhet menjëherë mik i ngushtë.” (Fussilet, 34)

Në të vërtetë, i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, lëreni derdhjen e gjakut të myslimanit, por e shikonte të papranueshme edhe vrasjen e grave, fëmijëve dhe të moshuarve jomyslimanë që nuk luftonin kundër myslimanëve, vrasjen e klerikëve që preokupoheshin me ibadetet e tyre, madje nuk pranonte që të shkatërroheshin faltoret, të priteshin pemët dhe të vriteshin kafshët edhe në kohë lufte. Krahas gjithë kësaj tolerance, i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, bënte paralajmërime, sikur po njoftonte për ngjarjet që do të ndodhnin në të ardhmen, duke treguar padrejtësitë e kohës së injorancës:“O njerëz! Jeta juaj, pasuria juaj dhe nderi juaj janë të shenjta dhe të mbrojtura nga çdo lloj sulmi, siç janë të shenjta këto ditë, muaj dhe qyteti juaj. Shokët e mi! Nesër do të dilni në audiencën e Zotit tuaj dhe do të pyeteni për gjendjen dhe veprat tuaja të sotme. Kini kujdes dhe mos e vrisni njëri-tjetrin pas meje duke u kthyer në devijimet e kaluara.” (Shpjegimi i Sahihu’l-Buhari, Përkthimi i Tedrixhu’s-Sarih, vëll. X, nr: 396.) Në ditët e sotme, në të gjithë botën dhe veçanërisht në vendet islame që ndodhen në lindjen e mesme, po përjetohen luftëra që të kujtojnë periudhën e injorancës në të cilën përdorej dhuna, imponimi dhe shkelja e të drejtave të njeriut. Të moshuarit, gratë dhe fëmijët që janë viktima të këtyre luftërave, po nxirren nga vendet e tyre dhe po detyrohen të emigrojnë. Sa shumë të bën të mendosh ky ajet fisnik i cili sikur është zbritur për ta shpjeguar këtë gjendje:

“Mirëpo ja tek jeni, duke vrarë farefisin tuaj, duke i dëbuar disa syresh nga shtëpitë e veta dhe duke ndihmuar njëri-tjetrin kundër tyre, fajësisht dhe armiqësisht. Dhe, kur ju vijnë të robëruar, ju i shpëtoni nga robëria me të holla, ndërkohë që me marrëveshje e keni të ndaluar t’i dëboni. Mos vallë, një pjesë të Librit (Teuratit) e besoni, kurse pjesën tjetër e mohoni?! Cilido prej jush që vepron kështu, do të ndëshkohet me poshtërim në këtë jetë, ndërsa në Ditën e Kiametit do të dërgohet në dënimin më të ashpër. Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj veprimeve tuaja.” (Bakara, 85)

Për këtë arsye, terrori dhe dhuna, sido që të quhen, nuk kanë asnjë lidhje të afërt apo të largët me Islamin. Andaj, t’ia veshësh Islamit këto veprime barbare është krejtësisht e pamundur. Përkundrazi, feja jonë shprehet se të gjithë besimtarët janë vëllezër dhe ua ka ndaluar atyre në formë të prerë çdo lloj anarkie, prishjeje, shkatërrimi, dhunimi apo torture, shkurtimisht çdo lloj terrori dhe tiranie siç thuhet edhe në ajetin fisnik: “Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër, andaj pajtojini vëllezërit tuaj midis tyre dhe kijeni frikë Allahun, në mënyrë që ju të mëshiroheni.” (Huxhurat, 10) Gjithashtu, feja islame e konsideron vrasjen e një njeriu si vrasjen e të gjithë njerëzimit. Në të njëjtën mënyrë, edhe shpëtimin e një jete e pranon si shpëtimin e të gjithë njerëzimit.

Me një shprehje tjetër, feja islame dhe morali i Kuranit nuk janë mbështetës të terrorizmit dhe të terroristëve, por janë zgjidhja e vetme që mund ta shpëtojë tokën nga fatkeqësia e terrorizmit. Së fundi, nëse sot ka veprime dhe mendime si dhuna, imponimi dhe shkelje e të drejtave të njeriut në shoqërinë islame, këto nuk janë gabimi dhe mangësia e Islamit, por të myslimanëve. Ndërsa mënyra më e favorshme për të shpëtuar nga ky gabim është marrja për referencë e fetarëve të ndërgjegjshëm dhe e literaturave të sakta fetare. Në të kundërt, do të shkaktohet një situatë që e mërzit shumë të Dërguarin e Allahut (s.a.s.).

Hazreti Pejgamberi thotë:

“Besimtarët janë si një trup i vetëm në dhembshuri ndaj njëri-tjetrit, në dashuri ndaj njëri-tjetrit dhe në mëshirë ndaj njëri-tjetrit. Kur ndonjë organ i këtij trupi të ndjejë dhimbje, edhe organeve të tjera u ikën gjumi dhe e ndjejnë fort të njëjtën dhimbje.”(Buhari, Edeb, 27; Muslim, Birr, 66.) Lus Allahun e Lartësuar që të gjithë besimtarët të bëhen si një trup duke ndjerë dhembshuri për njëri-tjetrin, duke e dashur njëri-tjetrin dhe duke e mëshiruar njëri-tjetrin!

Shpërndaje