Solidariteti ndaj shpërdorimit apo etika e konsumit

Shpërdorimi (israf) është një koncept kuranor, që ka kuptimin e të tejkaluarit të asaj çfarë konsiderohet e mesme, pra teprimi në përdorimin e diçkaje. Edhe nëse përdoret për mundësitë dhe vlerat material, si pasuria dhe trashëgimia, ky koncept përfshin çdo gjë tejkalohet në përdorim. Shpërdorimi, ashtu sikurse mund të përdoret në raste konsumi ushqimor apo veshjesh, mund të përdoret edhe për kohën, shëndetin dhe ambjentin. Shkalla më e ulët e konsumit është koprracia, kurse ai që ndodhet në skajin e kundërt të koprracisë është shpërdorimi. Në këto dy ajete, kjo temë përmendet në këtë mënyrë: “Dhe ata që, kur shpenzojnë nuk janë as dorëshpuar, as dorështrënguar, por i përmbahen së mesmes;” (Furkan, 67.) “Mos e shtrëngo dorën, as mos u bëj dorëshpuar e të mbetesh i qortuar dhe i mjerë.” (Isra, 29.)

Sipas Islamit, edhe koprracia edhe shpërdorimi janë ndjenja epshore. Për shkak të dobësisë që ka për nefsin, njeriu shpërdoron duke bërë shpenzime të pakontrollueshme. Njeriu, po ashtu, duke u bazuar në ndjenjën e të kursyerit, bën koprracin dhe i bën rojën pasurisë së vet. Zekati, që është një obligim hyjnor dhe fetar, në këtë rast është një spastrim; edukon ndjenjën egoiste që ka njeriu, e shpëton atë nga smira dhe koprracia. Kështu, e mëson atë të jetojë ekonomikisht, pa tejkaluar masën në përdorim. Obligimi i zekatit ka veçorinë e të ndarit të mundësive materiale që ka njeriu. Islami është një rrugë e mesme që urdhëron drejtësinë, që i kushton rëndësi ekuilibrit dhe këshillon të jemi etikë edhe kur konsumojmë. Ata që bëjnë koprracin në jetë, janë pikërisht ata që bëjnë shpërdorime të pafrenuara dhe adhurojnë nefsin e tyre, pasi koprraci, për arsye se mendon vetëm për veten e vet, nuk ndan gjë me të tjerët. Gjithashtu edhe shpërdoruesi, ngaqë mendon vetëm për dëshirat e veta, e përdor pakontroll gjithçka ka në duar. Ndaj dhe shpenzimi i tepruar që bën njeriu për veten e vet, është quajtur shpërdorim. Kurse ajo çfarë shpenzon për tjetrin nuk hyn në këtë kallëp. Shpërdorim do të thotë të shpenzosh më shumë seç duhet dhe të qenit i papërmbajtur në konsum. Myslimanët përkufizohen në Kuran si një popull që ndjek rrugën e mesme. (shih. Bekare, 143.) Gjithashtu, në Kuran gjenden plot ajete që ndalojnë shpërdorimin. Dy nga këto janë:

“Hani e pini, por mos e teproni, se Ai nuk i do ata që e teprojnë.” (Araf, 31.)
“Është Ai që ka krijuar kopshte vreshtash të larta dhe të shtruara, hurma dhe bimë me shije të ndryshme, ullinj e shegë, të ngjashme dhe të ndryshme. Hani frutat e tyre kurdo që të prodhojnë dhe jepni atë që është detyrë në ditën e vjeljes së tyre! Por mos e teproni, se Allahu nuk i do ata që e teprojnë!” (Enam, 141.)
Në Kuran gjendet edhe një tjetër koncept që ka kuptim të përafërt me shpërdorimin, ai është tebzir. (Isra, 26.) Tebzir është në kuptimin “të derdhësh dhe të shpërndash”, “shpenzimi që bëhet në një vend të palejuar”. Është një përmasë më tej shpërdorimit. Shpërdorimi përfshin shkeljen e kufijve që ka vendosur feja jonë e bukur dhe ekstremizimin e veprimeve. Ndaj dhe Allahu i Madhëruar na mëson që ne të bëjmë dua: “O Zoti ynë! Na i fal gjynahet tona dhe teprimin në punën tonë, na i forco këmbët (në istikam) dhe na ndihmo kundër popullit jobesimtar!” (Ali Imran, 147.)

Dëmet e shpërdorimit

Shpërdorimi është një çmenduri e konsumit. Shpërdorimi ka dëme, si materiale ashtu edhe shpirtërore në planin personal dhe në atë shoqëror.

Dimensioni personal i dëmit të shpërdorimit
Shpërdorimi në jetën e njeriut ka dëme si materiale, ashtu edhe shpirtërore. Ngaqë shpërdorimi është të konsumosh më tepër sesa prodhon ose të shpenzosh më shumë sesa ajo çfarë ka nevojë njeriu, fillimisht shkatërron buxhetin personal dhe atë familjar. Ndërsa, ata që përkufizojnë ekonominë thonë se “ekonomia është shkenca që përballon nevojat e pakufijshme përmes burimeve të kufijshme”. Pra ekonomia pranon që nevojat janë të pakufijshme dhe burimet të kufijshme. Ndaj dhe burimet duhen përdour shumë mirë, duhen kufizuar nevojat dhe konsumi duhet bërë sipas normave etike. Kjo gjë arrihet duke ndaluar shpërdorimin dhe duke ekuilibruar konsumin. Dëshirat dhe nevojat e njeriut nuk zënë të ndalen. Për të realizuar këto nuk mjafton një jetë e tërë. Kështu njeriu duhet të shpenzojë tërë jetën për nevojat e tij dhe nuk do mund të kishte kohë për nevoja shpirtërore si, adhurim, art etj. Thonë se “Ai që nuk di çfarë kërkon, nuk e vëren atë që gjen.” Njeriu i sotëm nxiton për dëshirat dhe shpenzimet e pafrenuara të tij, ngaqë ka humbur vlerat e larta dhe gjykimet e sakta. Po ashtu, i ka humbur interesi për ndjenjat e larta si arti, letërsia, adhurimi dhe ndjesia e të shërbyerit, që i shkojnë njeriut.

Shpërdorimi ka edhe dëmet shpirtërore dhe etike, të cilat nuk janë më pak të rëndësishme sesa dëmi material dhe ekonomik i konsumit. Kjo dëshirë e drejton njeriun nga ndjenja për të pasur dhuntitë e dynjasë, që quhen tul-i emel (të vepruarit sikur nuk do të vdesësh kurrë) dhe ambicie. Konsumi i shfrenuar e bën njeriun egoist. Kështu, njeriu kap dhe gëlltit gjërat e dynjasë, sikurse toka që thith ujin. Vesi kryesor i njeriut është egoizmi. Njeriu, si pasojë e dashurisë dhe e lidhjes që ka me nefsin e vet, përpiqet të plotësojë dëshirat e nefsit dhe të gjejë mënyra që ta realizojë këtë gjë. Pa pasur një edukim të nefsit dhe të dëshirave, është e vështirë, madje e pamundur të frenohen këto ndjenja. Kjo qasje edukative, që synon të parandalojë shpërdorimin, mund ta pengojë sado pak njeriun të sillet si pronari i vërtetë i pasurisë, duke përfituar nga dhuntitë e botës.

Epërsia e ndjenjës së altruizmit lind solidaritetin e jo shpërdorimin. Shpërdorimi i ndaluar është shpenzimi që bën njeriu për vete, mbi nevojën që ka. Nuk është shpërdorim ajo çfarë shpenzon për të tjerët. Sipas qasjes “futuvvet”, që njihet si një normë etike, shpenzimi i tepruar që bën njeriu për vete, është shpërdorim, kurse shpenzimi që bën njeriu për të tjerët, sado shumë qoftë, nuk është shpërdorim. Shpërdorimi ushqen egoizmin dhe pragmatizmin. Egoizmi dhe pragmatizmi e largon njeriun nga sakrifica për tjetrin, duke menduar “jeto jetën tënde”, e frenon atë të jetë bujar. Në fakt, sjellja që del në kundërshtim me këtë është qasja “një kafshatë një triko”, sepse sipas këtij botëkuptimi, nuk është e rëndësishme pasuria e kësaj bote, por ndarja me të tjerët, të duash të tjerët më shumë se veten dhe të shpërndash gjithçka ke tjetër përveç një kafshate dhe një trikoje. Kjo nuk do të thotë të braktisësh punën dhe të mos jesh produktiv, por duke punuar të mos shpenzosh për vete, por për tjetrin dhe të ndihmosh vëllain që është në vështirësi, pra të bëhesh altruist. Vendi ku mund të ketë më shumë efekt dhe që mund të funksionojë më së miri botëkuptimi “një kafshatë një triko”, është fusha e konsumit. Veçanërisht sot, “ekonomia e shpërdorimit” përmes publiciteteve të ndryshme ka marrë përmasa të mëdha. Gjithçka bazohet në parimin e konsumit, ndaj dhe shpërdorimi është shtuar me hapa galopantë. Duke u bazuar në mendimin “një kafshatë një triko”, hyjnë nën kontroll nevojat e njeriut dhe vendin e ekonomisë së konsumit e zë ekonomia e nevojës. Kështu, njerëzit do të shpëtojnë së përdoruri në mënyrë të tepruar mundësitë që ofron teknologjia, i pasuri nuk shtyp të varfrin, i varfri do të shpëtojë së shikuari me zili pasurinë e të pasurit dhe nuk do ta vuajë tërë kohën dhimbjen e skamjes. Shpërdorim quhet kur njeriu do të realizojë çdo dëshirë që i shkon në mendje dhe mospasja kufi në këtë pikë. Kufizimi që u bën njeriu dëshirave dhe nevojave, përbën thelbin e etikës së konsumit. Një ditë, Hz. Omeri e sheh të birin, Abdullahin, tek po hante mish dhe e pyet: “Ç’ne, mish po ha?”. “Po – i përgjigjet i biri,- më vajti mendja për mish, prandaj”. Hz. Omeri u mërzit dhe i drejtohet të birit: “D.m.th. ti ha çfarë të shkon në mendje. A nuk e di ti se Profeti ynë ka thënë se të hash gjithçka të shkon në mendje është shpërdorim?” (Shih. Ibn Maxhe, Et’ime, 51.) Shpërdorimi e pengon njeriun të kontrollojë nefsin. Njeriun e bën që të bëhet skllav i nefsit dhe nefsin e bën perëndi të tij. Ajeti: “A e ke parë ti atë që epshin e vet e ka marrë për zot? A do t’i bëhesh mbrojtës atij?” (Furkan, 43.), pikërisht këtë dëshmon. Njeriu zakonisht nuk e vëren që po bën shpenzime të tepruara, sepse “Kështu, shpërdoruesve iu zbukurohet ajo që punojnë.” (Junus, 12.) Tejngopja nga shuntitë e Zotit sjell në pah nevoja dhe skamje të reja. Në syrin e një njeriut që ushqehet, vishet apo konsumon në forma të tjera, zvogëlohet vlera e dhuntive. Njeriu që nuk bën shpërdorim dhe që frenon disa dëshira të tij, është i lumtur, sepse dhuntitë kanë më vlerë në syrin e tij.

Dimensioni social i shpërdorimit

Shpërdorimi, ndoshta më shumë se një devijim që bën individi, është një devijim që bën shoqëria. Ai që mësohet me shpërdorimin, shkon në një gjendje që nuk mendon më për të tjerët. Në këtë mënyrë, rritet edhe ndarja klasore në shoqëri. Sjellja që bëjnë të pasurit si shpërdorues, shtyp të varfrit dhe hap disa plagë sociale tek ata, plagë të cilat mund t’i drejtojnë për në shpërdorim. Në fakt, njeriu, për sa kohë që di të ndajë me tjetrin, është i respektuar dhe i lumtur. Kushti kryesor i dashurisë është ndarja dhe sakrifica. Të ndash pasurinë me të tjerët. Ata që i ka zënë sëmundja e shpërdorimit, nuk ndajnë me të tjerët. Ndaj dhe që të mos mësohen njerëzit me shpërdorimin, Muhamedi (a.s.), u ka thënë: “Ujin nuk duhet ta shpërdorni, edhe sikur të merrni abdest në lumë.” (Ibn Maxhe, Tahere, 48.) Çdo lloj shpërdorimi që bëhet sot në shtëpitë tona, është një plagë shoqërore, duke ia nisur nga uji që harxhohet kot nga rubinetet e shtëpisë sonë, deri tek ushqimi që hidhet në kosh. Thuhet se sasia vjetore e shpërdorimit që i bëjmë pasurisë dhe energjisë e ka kaluar në shifër debitin buxhetor. Lumturia e shoqërisë është e bazuar në dy shtylla të veçanta, njëra është materiale dhe tjetra shpirtërore. Fuqia ekonomike i përket asaj materiale, kurse besimi dhe etika janë shpirtërore. Shoqëritë që i ka prekur shpërdorimi, nuk mund të arrijnë fuqinë ekonomike të duhur. Kjo shoqëri nuk mund të shpëtojnë pa u bërë debitore. Huaja i bën ata skllevër edhe nga aspekti ekonomik edhe nga ai kulturor, ata mbesin të varur prej tyre. Çdo investim dhe shpenzim që bëhet në dobi të shoqërisë, është jashtë asaj çfarë quajmë shpërdorim.

Shkaqet që përgatisin shpërdorimin:

Në krye të shkaqeve që përgatisin shpërdorimin është dëshira për të konsumuar, e cila është e natyrshme (fitri) tek njeriu. Për sa kohë që kjo dëshirë nuk edukohet që të frenohet ose për sa kohë që të ketë një klimë që e mban gjallë këtë ndjenjë, njeriu gjithnjë do ta teprojë në përdorim. Një nga shkaqet që paralizon shpërdorimin është rrethi shoqëror, ndikimi që bëjnë njerëzit tek njëri – tjetri. Sot kësaj i është shtuar edhe elementi “publicitet”. Mjetet reklamuese, që i drejtohen veçanërisht syrit dhe veshit, u bënë lokomotivat e ekonomisë së konsumit.

Rrugët e shpëtimit nga shpërdorimi

Për të parandaluar shpërdorimin dhe ekuilibruar konsumin, ka disa detyra dhe përgjegjësi që bien mbi shoqërinë:

Në planin individual

Edukimi është rruga e parë që shpëton të mos biesh pre e shpërdorimit. Njeriu duhet edukuar fillimisht në familje, pastaj në shkollë dhe në shoqëri, lidhur me shpërdorimin. Ata duhen edukuar që të mos bëjnë shpenzime të tepruara. Të rriturit duhet të jenë shembull për të vegjëlit lidhur me kujdesin që duhet bërë ndaj materialeve të shtëpisë dhe shkollës dhe ndaj pasurisë së shtetit. Duhet ta ngulisim mirë në mendje e zemër se çdo lloj dëmi që i shkaktojmë rrethit shoqëror apo fizik, është brenda shpërdorimit. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm që, aq sa ne edhe të tjerët kanë të drejtë për të jetuar. Nuk duhet harruar që për gjithçka që shpërdoret, ka njerëz që kanë nevojë për të.

Në planin shoqëror

Në jetën shoqërore parandaluesja kryesore është të mësosh të ndash. Duhet larguar nga ideja e shfrytëzimit të mallit të shtetit. Ne duhet të mbrojmë si të tonat vendet dhe mundësitë që përdorim në mënyrë të përbashkët. Duhet të botojmë gjëra që sensibilizojnë individin dhe shoqërinë lidhur me shëndetin dhe shfrytëzimin e kohës së lirë dhe ne na duhet të zhvillojmë zakonin e të lexuarit.

Në planin shtetëror

Pa konsumuar nuk prodhohet, por detyrë e shtetit është t’i shpëtojë nga dhuna e publiciteteve, që vështirësojnë gjendjen ekonomike dhe shkallën sociale të njerëzve. Shteti duhet të ndërmarrë hapa parandalues për shpërdorimin e kohës, mundësive dhe duhet ta shpëtojë popullin nga ambicia e luksit dhe shpërdorimit.

E kundërta e shpërdorimit është produktiviteti. Rritja e produktivitetit në punë, në industri, në prodhimtari, pikësëpari është detyrë e shtetit.

Përfundimisht, shpërdorimi është përdorimi pa ndërgjegje dhe në mënyrë të panevojshme i çdo lloj burimi dhe mundësie. Mënyra për të shpëtuar nga kjo gjë kalon përmes ndërgjegjësimit individual apo social, sensibilizimit të shtetit dhe bërjes së marrëveshjes mes shtetit dhe popullit. Nëse duam të jetojmë të lumtur në vendin tonë dhe t’u lëmë gjëra të bukura brezave që vijnë pas, atëherë le të bëjmë shpenzime më të ekuilibruara, brenda kornizës së etikës së konsumit, duhet të kërkojmë rrugë për të shpëtuar nga çdo lloj shpërdorimi.

Shpërndaje