Ka nisur shpërndarja e pakove të para ushqimore për nevojtarët në disa rrethe të Shqipërisë. Pakot që kryesisht përmbajnë produktet ushqimore bazë të domosdoshme për çdo familje, po shpërndahen për t’ju ardhur në ndihmë kategorive më në nevojë, të cilat janë identifikuar dhe listuar në bashkëpunim me institucione dhe organizata të ndryshme që operojnë në këtë fushë.
Pakot me ndihma ushqimore janë dhuratë e fondacionit Aziz Mahmud Hudayi, në Turqi, që prej shumë vitesh kontribon në fushën e ndihmave humanitare, projekteve të gjera sociale dhe arsimore për Shqipërinë.
Shpërndarja e pakove ushqimore do të vijojë gjatë gjithë muajit të Ramazanit dhe do të shtrihet në rrethet: Shkodër, Pukë, Korçë, Berat, Mamurras, Vlorë, Koplik, Tiranë, Kavajë dhe Kukës.
Me anë të këtij projekti të shpërndarjes së pakove ushqimore në muajin e Ramazanit, që po organizohet nën kujdesin e veçantë të kryetarit të shoqatës “Istanbul” Ridvan Seferaj, synohet që brenda muajit të Ramazanit të realizohet shpërndarja e rreth 5000 pakove ushqimore për nevojtarët në vend.
Krahas pakove ushqimore shoqata “Istanbul” organizon edhe iftaret e përvitshëm për jetimët dhe personat në nevojë.
Duke ju lutur Zotit për më shumë mirësi dhe begati për të gjithë, shoqata “Istanbul” ju uron : “Gëzuar muajin e Ramazanit! Muaji i Bekimeve dhe i Faljes.”
[envira-gallery id=”4051″]