Është mbyllur me një ceremoni festive programi i dytë i trajnimit në kuadër të projektit “Akademia e të Rinjve Shqiptarë”, i organizuar nga shoqata “Istanbul” në partneritet me YTB (“Organizata për Turqit jashtë Shtetit dhe Komunitetet Mike”) dhe shoqatën ” Përpjekje”.
Për të dytin vit radhazi Shoqata “Istanbul” falë mbështetjes dhe bashkëpunimit të ngushtë me YTB, sjell këtë program trajnimi për të rinjtë dhe të rejat e qytetit të Shkodrës.
Në sferën e veprimtarive social – kulturore që shoqata “Istanbul” organizon në bashkëpunim me organizatat homologe, ky program është i një rëndësie të veçantë, pasi ka si grup të synuar, të rinjtë dhe të rejat, të cilët janë pjesa më vitale e shoqërisë. Programi synon sensibilizimin e kësaj kategorie për rolin që duhet të ketë në shoqëri dhe mbajtjen e saj larg fenomeneve negative.
[envira-gallery id=”3297″]
Projekti “Akademia e të Rinjve Shqiptarë” konsiston në organizimin e një cikli seminaresh me karakter trajnues, ku trajtohen tematika të larmishme kulturore, fetare, filozofike e historike.
Këtë vit pjesëmarrësit e programit patën mundësinë të marrin informacion, të diskutojnë dhe të aftësohen rreth tematikave të trajtuara nga lektorë me përvojë si : Fitim Zekthi, analist i mirënjohur, Redi Shehu, opinionist dhe studiues, Dr. Mustafa Bajrami, teolog, Ergys Mërtiri, pedagog dhe sociolog, Armand Bora, regjisor i mirënjohur, Fitim Zekthi, analist dhe Agim Baçi, kritik letrar dhe studiues.
Aktivitetin përmbyllës e përshëndeti, kryetari i shoqatës “Istanbul” z.Ridvan Seferaj, i cili me këtë rast shpërndau edhe certifikatat për pjesëmarrësit në program.
Pjesëmarrësve të programit trajnues, në kuadër të projektit “Akademia e të Rinjve Shqiptarë” do t’u jepet mundësia të vizitojnë për disa ditë Turqinë dhe të njihen nga afër me historinë, kulturën dhe traditat e këtij vendi mik për Shqipërinë dhe shqiptarët.